Pagina 11 - DARDANIATV

Vai ai contenuti

Menu principale:

Pagina 11


KONGRESI I LUSHNJËS, FLATRA E NACIONALIZMIT SHQIPTAR


Nga Eugen Shehu/

 Viti 1919 do të ishte në Shqipëri përmes gjëmimeve të afërta të luftës,ç’ekuilibret politike të Ballkanit i ngjanin një tërmeti në shpërthim ku padyshim trojet shqiptare do të ishin epiqendra e tij.Për sa kohë do të zgjaste ky tërmet dhe çfarë dëmesh mund të pësonin popujt ballkanik kjo natyrisht vendosej diku gjetkë në Evropë.Dhe aspak në qendrat shkencore të sizmiografisë por përkundër,në tavolinat e strategëve ushtarakë.

 Kish mbaruar lufta e parë botërore dhe nëpër kancelaritë e Evropës,çështja shqiptare natyrshëm kërkonte një zgjidhje.Italianët e ulur këmbëkryq në Vlorë dhe rrethet e saja,mendonin të vendosin protektorat të drejtëpërsëdrejtë dhe për këtë u duhej një qeveri kukull.Kohë më parë,kishte qenë Sonino,ministri i jashtëm italian i cili pat urdhëruar që të formohej një qeveri shqiptare por : „… me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh me përjashtim të Vlorës dhe hinterlaudit të saj „.(I dokumenti diplomatik  italiani – Seria VI-volumi I,dokumenti 402 ).

Kësisoj u përgadit dhe u thirr Kongresi i Durrësit prej nga edhe doli qeveria e tij.Për hir të së vërtetës duhet thënë se kjo qeveri jo vetëm nuk u kujtua për hallet e popullit aq të mëdha në ato kohëra,por përkundrazi,ajo u kthye në një vegël të verbër në duart e pushtuesve italianë. Marrëveshjet e firmuara nga kjo qeveri me atë italiane ishin koncensusi dhe të hapura që  i bëheshin pushtimit të mëtejshëm italian. Dokumenta të tëra flasin për atë fakt makabër sipas të cilit vendosja e protektoratit italian ishte ndër prioritetet e qeverisë së Durrësit.Po,ishin pikërisht antarët e këtij kabineti që urdhëronin me anë të një telegrami,të gjitha organet vartëse,për të bërë ç’ishte e mundur që të përkujtohej 3 qershori i vitit 1917,ditë e cila sipas administratës italiane ishte shpallja e pavarsisë së shqiptarëve.Hidhej baltë kësisoj mbi përpjekjet titanike të popullit tonë për shpalljen e pavarsisë në nëntorin e vitit 1912.Përdhoseshin rrëkejtë e gjakut të derdhur,mohohej një epope e ndritur.Gjithësesi populli ynë asnjëherë nuk u pajtua me morri të tilla.“Dita e indipendencës së Shqipërisë është me 28 të vjeshtës së tretë“ – thuhej në një letër përgjigjeje të bashkisë  së  Elbasanit, e cila  e shikonte „ të panevojshme festëtimin popullarisht të çdo dite tjetër si ditë shpalljeje të vetëqeverimit shqiptar.” Edhe në rrafshin diplomatik ndërkombëtar,qeveria e Durrësit bëri gabime të mëdha.Ajo kurdoherë nuk dorëzoi qëndrimet aneksioniste italiane por u përpoq të zbuste protestat e popullit ndaj synimeve italiane.Vlen të përmendet këtu fakti që edhe delegacioni i qeverisë së Durrësit që vajti në Konferencën e Paqës në Paris,megjithëse foli shumë për kufijtë etnike,nuk tha asnjë fjalë për Italinë që po ashtu si fqinjët tanë të tjerë ishte gati të coptonte trojet shqiptare.

Parë në këtë kand,mund të themi se ka qenë e domosdoshme një zgjidhje tjetër politike.Rrethet përparimtare të djelmërisë shqiptare bërë gjithashtu të njohur marrëveshjes Titani-Venizellos e 29 korrikut 1919. Cetat e nacionalistëve në jug të Shqipërisë po përballeshin me sulme të mëdha të forcave të Zogratos. Korça e Gjirokastra,kishin muaj të tërë që kalonin nëpër  sulme e beteja ku nacionalistët me zjarrin kurdoherë ndezur të patriotizmës ndalnin ofensivat greke duke i falur atdheut dhe jetët e shtrenjta. Azem Bejta dhe H.Budakova,shkruanin në po këtë kohë epopenë e përgjakur të Kosovës në luftë me armikun shekullorë,serbinë.Malet e Dibrës,ujërat e Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë,ishin të mbushura me shungullimën e plumbave dhe të thirrjeve për liri të Elez Isufit dhe Isuf Xhelilit.

Po në këtë ditë, gazeta „POPULLI“ do të shkruante ; „Të gjithë të pasur,klerikë,intelektualë,patriotë, fshatarë e qytetarë,gra e vajza,kabnë detyrë me ju ka gati njasaj dite ku fati i Shqipërisë vjen dhe i mbështetet burrnisë dhe fisnikërisë së bijve e bijave të saj,për t’i tregue botës se duem me jetue, jena të zot me jetue e meriotojmë me jetue ne vedi“ (Gazeta „Populli“nr 31 datë 15,tetor 1919,artikulli „Dje dhe sot“).

 Në përgaditjen e Kongresit të Lushnjës,një rol parësorë natyrisht që ka luajtur edhe Komiteti „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“. I themeluar në 7 nëntorë 1918 në Shkodër,i drejtuar prej burit trim Hoxha Kadri Prishtina,ky Komitet prej kohësh kish demaskuar qëndrimet servile proitaliane të qeverisë së Durrësit si dhe kish bërë thirrje të hapura për një kuvend kombëtar që do të mund të rrëzonte qeverinë tradhëtare. Kryesia e këtij komiteti ishte ndër të parat që denoncoi urdhërin e ardhur prej Durrësi që në çdo institucion shtetëror të vendosej një komision politik italian.Sipas kësaj kryesie ky urdhër cënonte haptas dhe drejtëpërsëdrejti indipendencën kombëtare politike të Shqipërisë.Ndër të tjera,në këtë protestë publike thuhej se „këtë politikë antishqiptare të Italisë,atdhetarët e vërtetë nuk mund ta përkrahin pa tradhëtuar atdheun e tyre“.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi i Kosovës,Dokumenti 708.800 datë 14.12.1919).

Delegatët e Komitetit „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“,i dënon dhe aprovuan një sërë kërkesash gati ultimative që do të bëheshin që në seancën e parë të Kongresit më 21 janar 1921 të cilat kishin të bënin me rrezikun e qeverisë të Durrësit ku përpos të tjerave dy ishin akuzat më të rënda : Nuk ishte mbrojtur çështja e Kosovës dhe krejt trojeve shqiptare – si  edhe nuk ishte vënë në dijeni populli për asnjë veprim apo traktat të lidhur në kurriz të tij.Kësisoj në ditët e para të janarit të vitit 1921,megjithë pengimet e mëdha të pushtuesve Italianë si dhe veglave të tyre të verbëra,me gjithë përpjekjet e forcave esadiste për të trembur popullin,nga shumica e prefekturave,populli kish zgjedhur me votën e tij të lirë përfaqsuesit e vet,nacionalistët dhe atdhetarët e ndershëm të cilët shkonin në Lushnje,jo për të marrë kolltuqe por për të hedhur mbi supe një barrë të madhe,me peshë historike; të ruheshin kufijtë arbnorë,të luftohej për kufijtë etnike,për demokraci e shtet shqiptar të pavarur. Midis peripecive të panumërta,delegatët nga krejt Shqipëria udhëtuan në fund janarin e vitit 1920 drejt qytetit të Lushnjës.Orvatjet e qeverisë dhe forcave ushtarake italiane nuk i penguan kongresistët patriotë të çelin seancën e parë të Kongresit më 21 janar duke deklaruar së parri rrëzimin e qeverisë së Durrësit, e cila prej kohësh pat tradhëtuar interesat kombëtare. Forca vullnetare popullore nga Elbasani,Durrësi,Peqini,Berati,Muzeqeja dhe Vlora,bashkuan armët duke vënë në mbrojtje të Qytetit të Lushnjës dhe Kongresit.Ata pritën me entuziazëm ashtu sikundër i gjithë populli thirjen e Komiteti kombëtar të Kosovës se … „Shqiptarët janë gati me ba çdo lloj sakrifice,madje me derdhë pikën e fundit të gjakut të tyne,kundër çdo veprimi që mund të vinte në rrezik pavarësinë e Shqipërisë e të tanësisë së saj tokësore „.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi i Kosovës,dokumenti 708786).

Një vendim historik që pasoi ditët e këtij Kongresi ishte pikërisht edhe ai që hodhi poshtë planin e Konferencës së Paqës për vendosjen e Shqipërisë nën mandatin e një fuqie të huaj. Ky vendim iu bë i ditur menjëherë komandantit të përgjithshëm të trupave italiane në Shqipëri prej kryetarit të Kongresit Aqif Pashë Elbasanit. Delegatët gjithashtu u shprehën njëzëri për luftën e vazhdueshme për trojet etnike shqiptare.Kabineti i sapozgjedhur kryesohej prej Sulejman Delvinës.Përpos të tjerave,në këtë kabinet bënin pjesë Aqif Pashë Elbasani,Sotir Peci,Eshref Frashëri,Hoxhë Kadriu,ndërsa përfaqsues të tyre në Paris u zgjodhën ;Konica,Turtulli dhe Bumçi.

Jehona e Kongresit të Lushnjës u ndie në krejt trevat shqiptare.Mori tjetër hov lëvizja për indipendencë,pasi populli e ndjeu së thelli se qeveria do të mbronte tërësisht interesat kombëtare. Atdhetarët shqiptarë,në shkrimet e shumta të botuara,sidomos në  gazetat „Populli“,“Albania“,“Drita“ dhe „Shqipëria e Re“,vlersuan jo vetëm vendimet e mëdha të dala nga ky kongres,por edhe momentin e madh historik të shpalljes së tyre.Në hapësirat e krejt trevave shqiptare rilindën shpresat e mëdha. Në një manifestim në përkrahje të Kongresit që bëri populli i Gjirokastrës thirrja ushtoi fort në fjalët ; „Vëllezër shqiptarë ! Që kur u formua qeveria e Shqipërisë në Kongresin e Lushnjës,që kur u deklarua independenca e plotë e Shqipërisë dhe u vu në veprim,qeveria Italiane e kuptoi gjallë që jo vetëm nuk mundi të përdorë Shqipërinë si për pazarllëk midis shteteve ballkanike,po edhe Vlora e baza morale e saj humbi për të … shqiptarët pas veprave,pas punerave që shohin,gjykojnë dhe protestojnë rreptësisht.Zëri i tyre,në e lëntë shtetrrethimi i gjeneral Piaçentinit,do të arrijë mbase në vesh të popullit italian.(Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci,1917-1941.Tiranë,botimi i Arkivit Qendror të Shtetit 1959 faqe 32 ).

Kongresi i Lushnjës,vendosi gjithashtu që kryeqyteti i Shqipërisë të jetë Tirana.populli i Tiranës e priti me ovacion këtë vendim dhe rrëmbeu armët duke siguruar rrugën e ardhjes së qeverisë kombëtare.Ishin me dhjetra oficerë të xhandarmërisë shqiptare që nuk iu bindën urdhërave të eprorëve por u bashkuan me popullin duke paraparë tek ky kabinet prijësin drejt të  armes së tyre të lirë e të pavarur.

Kësisoj,Kongresi i Lushnjës,ky akt i kadh kombëtar,i shëmbëllen një agimi të ri që hodhi dritë paprerë mbi situatën dramatike në Shqipërinë e asaj kohe.Përpos një akti të madh ajo mbeti edhe një vizion modern i së nesërmes shqiptare.



SHTOJCË DOKUMENTASH TË ARKIVIT LIDHUR ME KONGRESIN E LUSHNJËS


– Në prag të Kongresit të Lushnjës,Hysen Zhyra i dërgon Bedri Pejanit kopjen e besës së lidhur ndërmjet shtatë bajraqeve të Pukës më 15-11-1919,ku ndër të tjera theksohet :

1 – Sikur  tërë populli,edhe ne kemi lidhur besë dhe nëse paraqitet nevoja kemi me derdh gjakun për atdhe.

2 – Vrasja me qëllim me marr gjak ashtë ndaluar,e nëse ndesh,shtëpia e gjaksorit digjet dhe bagëtia dhe malli i merret.

3 – Nëse ndokush sjell ndonjë vendim tjetër ne nuk  do ta përfillim.

4 – Me vjedh ose me fyer dikend  morralisht asht e ndalueme

5 – Ai që nuk hyn në këtë besë me tërë familjen do të dërgohet jashtë shtatë bajraqeve në një vend që do t’ia cakton qeveria.

6 – Kjo besë zgjat deri në Shen Gjergj”

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 846 , dosja nr 3 , dokumenti nr.703 / 211 ) .

“Prej çdo ane vinin kërkesa për një kongres,por kabineti i Durrësit e italianët bënin ç’është e mundur të pengonin,se Komiteti Kombëtar i Kosovës përpiqej të nxirte leje nga francezët që kongresi të mblidhej në Shkodër,por ata nuk e lejuan”.

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi Hoxha Kadriu – fleta e kujtimeve , faqe 42-42 ) .

Ishte bërë e qartë se shpëtimi i Shqipërisë mund të bëhej vetëm po të kishte një qeveri kombëtare që të përfaqsonte interesat e popullit në luftë për liri dhe pavarsi.Këtë qeveri ajo nuk e kishte.Një qeveri e tillë mund të formohej vetëm nga një mbledhje e re kombëtare.Ideja e thirrjes së kongresit kishte pushtuar mendjen e njerëzve patriotë gjatë gjithë muajve të fundit të vitit 1919,por akoma nuk qe kristalizuar mendimi unik për të dalë me një thirrje nga një qendër e vetme siç ndodhi më vonë në Lushnjë.Masat organizative për mbledhjen e kongresit në fillim qenë të dobëta.Në këtë drejtim do të ketë ndikuar edhe fakti se kishte akoma elementë brenda dhe sidomos jashtë vendit,të cilët megjithëse ishin kundër Qeverisë së Durrësit, e konsideronin “Vetvrasje” rrëzimin e saj.Elementë patriotë,të mbledhur në Lushnjë,pas diskutimesh më 31 dhjetor 1919 vendosën të thirrej një kongres.Në vendimin përkatës thuhet ; “Tue parë se në këtë kohë në konferencën e paqës do të caktohet fati i atdheut tonë,nga ana tjetër duhet parë se turbullirat e brendshme dhe paqetësia në vend janë të dëmshme për të ardhmen e Shqipërisë e në dobi të synimeve lakmitare të fqinjëve,të gjithë krahinat e Shqipërisë çfaqin dëshirën e plotë për një mbledhje kombëtare të përgjithshme edhe në vendin e mbledhjes kanë pëlqyer Lushnjën,që ndodhet në kufitë e Shqipërisë së Veriut e të Jugës.Lushnja me gjitha krahinat e saja është antare e plotë e kësaj mbledhjeje”.

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi “Konferenca e Paqës “ dokumenti  51110, datë 31-XII 1919 ) .

Thirja për një Kongres të ri u prit me entuziazëm nga populli shqiptar.Aty ku qenë mundësitë,zgjedhjet e delegatëve u bënë me solemitet dhe u përcuall për në Lushnjë po me të njejtën mënyrë.Në përgjigje që bënte katundaria e Tiranës katundarisë së Lushnjës, p.sh. thuhet ;

“Nisjen patriotike për të mbajtur në qytetin e zotërisë suaj një kongres kombëtar populli i Tiranës i madh e i vogël e priti me gëzim të madh dhe iu falet nderës”.

( Arkivi Qendror i Shtetit, fondi Konferenca e Paqës, dokumenti 51131, data 12-I-1919) Përgjigje e katundarisë së Tiranës thirrjes së Lushnjës për të zgjedhur delegatë .( Ne Foto: Qeveria e Lushnjës parakalon para popullit)


 
Torna ai contenuti | Torna al menu