Pagina 4 - DARDANIATV

Vai ai contenuti

Menu principale:

Pagina 4

Masakra e 2 prillit 1991 në Shkodër, urdhri nga Tirana ishte për “goditje të ashpër”
Nga Gazeta 55 më 01/04/2016  

             
             
  4 martiret e 2 prillit

Pas përfundimit të zgjedhjeve të 31 marsit 1991 për Kuvendin Popullor, Partia e Punës mori shumicën e vendeve në organin e ri legjislativ. E megjithatë, në këto kushte, opozita demokratike arriti të fitojë në të gjitha qytetet e mëdha të vendit duke arritur në fakt atë që në kohë u quajt fitore cilësore e saj. Fitorja me 2/3 e PPSH-së solli pështjellime të mëdha pikërisht në këto qytete.

Qysh më 1 prill 1991, qindra qytetarë shkodranë protestuan para godinës së Komitetit të PPSH-së kundër manipulimit të zgjedhjeve nga PPSH. Drejtuesit e PD-së lokale si dhe deputetët e porsazgjedhur, bënë të pamundurën për të qetësuar qytetarët. Të nesërmen, protesta filloi tek shkollat e përgjithshme të Shkodrës “28 nëntori” e “Jordan Misja”. Duke vënë çantat përtokë përballë godinës së Komitetit të Partisë, nxënësit e shkollave dhe populli i Shkodrës protestuan në një mënyrë shumë civile kundër politikës së PPSH-së dhe manipulimit të zgjedhjeve.

Drejtuesit e policisë së Shkodrës i kishin kërkuar ndihmë degës së PD-së së këtij qyteti për të qetësuar situatën. Përpara Komitetit të Partisë, në momentin kur Arben Broci po fliste për qetësimin e ngjarjes, qëllohet pas shpine nga ana e godinës së Komitetit të Partisë. Njëkohësisht, armët kanë vrarë e plagosur edhe shumë qytetarë të tjerë të ndodhur.

Ngjarja e Shkodrës acaroi tej mase klimën politike në vend. Opozita e djathtë nuk mori pjesë në mbledhjen e parë të Kuvendit Popullor, ndërsa kërkesa për zbardhjen e së vërtetës u bë mbarëpopullore. Por përtej gjithë asaj që ndodhi në atë kohë, qëndronte edhe versioni zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Titullari i kësaj ministrie, informonte kryetarin e Këshillit të Ministrave, si dhe komisionin kuvendor të krijuar atë kohë, mbi opsionin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Një raport i Ministrisë së Punëve të Brendshme i datës 29 prill 1991 drejtuar Këshillit të Ministrave, bën fjalë për ngjarjet e ndodhura në qytetin e Shkodrës më datën 1 – 3 prill 1991. Përshkruhen se janë hedhur parulla të tilla si  “Liri – Demokraci”, “Enver Hitler”, “Nuk i duan komunistët, jo, jo”, “Poshtë PPSH”, etj. Demonstrimi i datës 2 prill 1991 është zhvilluar para godinës së të keqes, Komitetit të Partisë së Punës. Raporti thotë se godina e këtij komiteti “u pushtua”. Raporti që është hartuar në kohën kur ngjarjet kishin marrë drejtim ka edhe këto fjalë:

“Akoma nuk dihet se kush nga forcat e rendit shtiu drejt për së drejti mbi turmën, ka arsye të mbahen të ngritur dy versione: vrasjen ta kenë shkaktuar armët e policisë për të gjitha rastet dhe versioni tjetër ndonjë a me shumë ta kenë shkaktuar edhe armët e vetë demonstruesve. Hetimet kanë filluar për ta ndriçuar gjithë rrjedhën dhe radhën e ngjarjeve. Personat e vrarë janë: Arben Broci, inxhinier në fabrikën e cigareve, anëtar i PD, 24 vjeç, Besnik Cepa, 29 vjeç, punëtor në NSHRAK dhe Bujar Bishanaku, vjeç 22, i pazënë në punë, anëtar i PD. Në datën 4.4.1991 vdiq në spitalin e Tiranës edhe Nazmi Kryeziu rreth 45 vjeç, i plagosur rëndë, punëtor në uzinën e blojës, …Më datën 3 prill PD organizoi ceremoninë e varrimit të të tre të vrarëve duke mbajtur fjalim në një miting në qendër të qytetit të Shkodrës dhe në varreza. Në kohën e kthimit nga varrezat janë hedhur parullat: “Poshtë Ramiz Alia” dhe “Poshtë komunizmi”. Më pas pjesëmarrësit në varrim afërsisht 10.000 veta janë shpërndarë normalisht. Qyteti në dukje është i qetë, por situata në tërësi është e tensionuar”.

Për këtë ngjarje kujtojmë telegramin e datë 2 prill 1991 që ministri i Punëve të Brendshme Gramoz Ruçaj dërgonte për degët e punëve të brendshme në rreth, pra kudo ku kishte manifestime të këtij lloji:

“Gjatë ditës së djeshme në qytetin e Tiranë, Shkodrës dhe Kavajës, janë grumbulluar turma njerëzish në mënyrë të paligjshme duke hedhur parulla politike dhe fyer personalitete të kombit. Forcat e policisë kanë ndërhyrë me agjitacion ose nuk kanë ndërhyrë fare. Qëndrime të tilla pas ditës së 31 marsit, janë shumë të gabuara. Policia të ndërhyjë me ashpërsinë e ligjës dhe kurdoherë ushtrimin e forcës ta shoqërojë me ndalimin e fajtorëve që kap. Për të vepruar me forcën e shkopit, nuk ka askush arsye të pyesë përgjegjësin.

Goditni ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turmat mund të goditin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur. Forcat tona që përleshen me turmat të mos shkojnë të armatosura”.



 

 
Torna ai contenuti | Torna al menu